top of page

Konkursi LIVING WITH GENDER EQUALITY: Franceska Hila

Vite e dekada që ecin pandaluar me ritmin e kohës. Diskutime e debate, ligje që miratohen e që mbesin veç të tilla sepse drita e zbatimit është gjithnjë e zbehtë në vendin tonë.

Femra kjo ikone e bukurisë dhe brishtësisë në të cilën natyra dhuroi me bujari shumçka e mbi të gjitha e caktoj atë si jetëdhënëse që dërgon përpara zingjirin e jetës, qëndron përballë fortësisë mashkullore në pozita të ndryshme duke patur midis tyre ende të thyer shenjën e barazimit.

Përse vallë qytetërimet europiane e lanë pas me kohë stigmën ndaj femrës dhe mundën ta kthejnë respektin ndaj saj në kolonën zanore të ditës?

Përse kjo vorbull nuk na përfshiu edhe ne, apo ndoshta ne kemi orën tonë që ka ritmin e saj të përgjumur?!

Përse tek ne gjërat janë të destinuara të mbesin në letër dhe a mjaftojnë vetëm fjalët për ta ndryshuar një realitet?

Pikëpyetje të forta që më tepër se pëgjigje kërkojnë punë prej të cilës të derivojë një zgjidhje, zgjidhje e cila të mund të ndryshojë shijen e hillur të një realiteti kokfortë.

Rrënjët e thella të pabarazisë në shqipëri janë aq të vjetra sa ndoshta puna sipërfaqësore nuk arrin dot të depërtojë e të pasqyrojë ndryshim. Shpirti i femrës është liri që nuk vdes kurrë, ama jeta e një gruaje në shqipëri është liri që vdes akoma pa lindur.

Të drejta të parespektuara është pak të thuash. Simbolika e 8- marsit tek shumë prej tyre nuk shfaqet fare, as në formën e protestës ashtu siç realisht do duhej të ishte e aq më pak akoma në formën e festës. Është mjeruese, por njëkohësisht e vërtetë të thuhet se si hija e stigmës diskriminuese e përndjek femrën shqiptare që në gjenezë akoma pa lindur, kur në emër të të qënit femër ajo abortohet pa e parë ende dritën e diellit. Dhe përgjigja është heshtje, harresë e brenga e shpirtit të një nëne që nuk guxon të flasë.

Familja ajo që është quajtur bërthama e shoqërisë presupozuhet që duhet të jetë vendi ku afeksioni të mbizotërojë, oazi i qetësisë shpirtërore e mendore dhe strehëza e ngrohtë ku përtej çdo gjëje ndjehesh i kuptuar. Në sa e sa familje ky ekuilibër është prishur, dominon agresiviteti mashkullor, gruaja nuk ka të drejtë vendimmarrjeje dhe më keq akoma është objekt i një dhune verbale e cila jo rradhë pershkallëzohet edhe në atë fizike.

Shkallën e pabarazisë e thellon shpesh fakti kur vajzat adoleshente në vend që të rriten, për njëmijë e një arsye që nuk varen nga vetë ato bëjnë fli ëndrrat e tyre në emër të një martese që nuk e pranon as ligji, i cili duhet thënë është vetem një fjali e shtypur diku në një bllok të quajtur Kod’ Familje. Është e rëndë pësha e unazës në dorën e saj, aq sa jeta në supe të brishta e të pamësuara me pesha të rënda. Në mendjen e saj ndoshta kishte projektuar të ulej në auditorin e një universiteti, por jo, ajo tashmë është martuar me shkuesi dhe është nusja e një djali shumë vite më të madh se ajo, në dasmën e të cilit kërciti edhe pushka se kështu e do zakoni kur marton djalë shqipëtari, pavarësisht se ngjajmë sikur kemi ngatërruar shekull.

Ama stigma bëhet rrënqethëse kur krimi godet familjen duke bërë që gruaja të jetë viktimë. Xhelozira që në vend të divorceve përfundojnë me marrje jete, vrasje që media i cilëson rëndom si krime pasioni janë ulëritëse për veshët tanë duke na bërë shpesh të mendojmë sa të thella e të vështira për tu kuptuar janë labirintet e mendjes njerëzore. Trumbetim me të madhe, kryesisht në panele emisionesh televizive, diskutime dhe prap përsiatje të kota përballë një realiteti të njëjtë. Marshime e tubime kryesisht me nismën e përfaqësueseve femra të politikës që prap se prap megjithëse kalojnë vitet mbeten në një përqindje minimale përfaqësimi. Nuk duhet harruar se protestat e tubimet në këtë vend bëhen vetëm kur ngjarjet kanë marrë përmasa galopante dhe pasojat janë të parikuperueshme dhe më e keqja janë si flaka e kashtës shuhen shpejt duke lënë pak vetëm hirin e harresës.

Ky është realiteti ynë i deritanishëm që nuk dihet edhe për sa do zgjasë. Peshorja priret të jetë e njëanshme për sa kohë hallkat që formojnë zinxhirin e një shoqërie bashkëkohorë janë të këputura.

Një jetë e pajetuar është gjëja më e frikshme në këtë botë!

Do na duhet të flemë se mbase në ëndërr shohim një realitet tjetër, apo më mirë të zgjohemi nga apatia e përgjumjes kolektive....

bottom of page